Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ka thënë se Serbia po kërcënon sërish me luftë.
Kurti ka thënë se në këtë mbledhje ranë dakord që të ketë më shumë vigjilencë dhe gatishmëri nga të gjitha institucionet.
“Ajo që ne e dinim prej kohësh u shpërfaqë në mënyrën më të egër të mundshme. Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk “jemi kundër askujt sa i përket përkatësisë etnike”
Ai ka shtuar se Beogradi zyrtar sot po flet e sillet si para 23 viteve dhe udhëhiqet me një kastë të njëjtë politikanësh me në krye me ish-zëdhënësin e Millosheqvit.
“Serbia nuk po e fsheh që kërkon të vazhdojë luftën që e humbi. Kjo përbën kërcënim të vazhdueshëm për shtetin tonë dhe paqen në vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë.
“Pako e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, përmes së cilës komuniteti serb në Kosovë fitoi të drejta të garantuara e të zgjeruara. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialog në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Kurti ka kritikuar edhe Qeveritë e kaluara, duke thënë se në të kaluarën me kriminelët si Radoiçiqi dhe Veselenoviqi bëhej marrëveshje edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës.