Një borxh ia ka marrë jetën një kosovari në qytetin e Trevisos në Itali. Siç shkruan gazeta italiane “Il Gazzettino”, viktimë është Ragip Kolgeci, një 52-vjeçar me origjinë kosovare, i cili mbeti i vrarë për shkak të një borxhi prej 500 eurosh.
Gazeta italiane shkroi se si pasojë e një konflikt mes dy “bandave nga lindja, kosovare dhe romune”, të lënduar mbetën edhe 6 persona të tjerë, të cilët kanë marrë trajtim në spitalin e Marcas.
Në mëngjesin e 13 tetorit, vazhdon raportimi, 2 kosovarë janë arrestuar, në mesin e tyre një 32-vjeçar, Valmir Gashi, i cili është emër i njohur për policinë italiane.
Dyshimet fillestare janë se rasti ka të bëjë me një përplasje mes dy bandave, asaj kosovare dhe romune.
“Viktima u sulmua dhe u therr për vdekje, pasi u godit me shkelma, grushta dhe u rrah…Dëshmitarët kanë parë gjithashtu një pistoletë, ndonëse nuk kishte të shtëna”, raporton Il Gazzettino, transmeton Nacionale.
Sipas gazetës, motivi i krimit ishte borxhi prej 500 euro që kishte djali i viktimës.