Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës së sotme plenare. Para fillimit të pikave të rendit të ditës, deputeti i ri i Kuvendit të Kosovës nga LVV-ja, Nasuf Bejta është betuar si i zgjedhur i popullit.
Mirëpo, procedura e betimit të tij u përcoll me disa ngatërresa nga ana e kryesueses së Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Kjo e fundit mezi e lexoi tekstin e betimit, të cilin e ngatërroi disa herë.
Madje në një moment të caktuar gati sa nuk hoqi dorë nga leximi.
Ajo po e zëvendëson Konjufcën si kryesuese e seancës, pasi që kryeparlamentari raportohet se është lënduar në një aktivitet sportiv.
“Unë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder dhe përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do të përfaqësojë me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj. Do të angazhohem për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tërësisë territo, më falni…territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në përputhje me ligjet e vendit. Betohem”, tha ajo.
Bejta zëvendëson deputeten e dorëhequr Vasfije Krasniqi. /Lajmi.net/