Denis Dollapi, personi që e pësoi më së keqti nga rivaliteti i dikurshëm Stresi-Noizy, dje ata u përqafuan…

Janë të largëta ditët kur Stresi dhe Noizy dolën kundër njëri tjetrit me grupet e veta. Përveç anëtarëve të grupit, ata kishin pas vetes edhe fansa që ndezën një rivalitet përtej muzikës.

Muzika bashkon njerëz nga gjithë bota përtej gjuhës, fesë dhe ngjyrës. Ajo nuk ndan dhe ajo nuk mëson si të marrësh një jetë. Mbrëmë Stresi dhe Noizy ndan skenën bashkë, ndan një përqafim dhe sheshuan gjithë ato vite rivalitet.Por medalja ka dy anë dhe në anën tjetër të kësaj historie është Denis Dollapi,adoleshenti që prej vitit 2010 dergjet ende në shtrat midis kësaj jete dhe tjetrës. Prej rivalitetit midis Noizyt dhe Stresit, Denisi dhe familja e tij mbajnë ende mbi shpatullat pasojat e një veprimi fatal.

Siç tregojnë vetë ata, Denisit i pëlqente muzika dhe ishte fans i Stresit dhe fansat e Noizyt e bënë pre të dorës së tyre të pisët. Denisi ndodhet ende në koma prej asaj dite dhe ja çfarë thonë ata që nuk e braktisën kurrë, familja:

Në 28 prill të vitit 2010, Denis Dollapi u sulmua nga bashkëmoshatarë të tij. Denisi ishte fans i Stresit, kurse agresorët fansa të Noizy OTR. Të dy këta këngëtarë kanë mjaft ndikim te fansat e tyre. Të dy shkëmbejnë kërcënime njëri me tjetrin. I fundit prej këtyre kërcënimeve, kaloi gjithë barrierat e etikës dhe u dha në transmetim direkt në “Zonën e Lirë” të Arjan Çanit. Dhe fansat jashtë studios, janë gjithë sy e veshë.

Rastet e dhunës mes të rinjve adoleshentë, ndjekës të këtyre dy këngëtarëve, atë kohë ishin shtuar frikshëm. Denisi është njëri nga viktimat. “Ishte gjithnjë i qetë, i pëlqente të pikturonte, të shkruante tekste këngësh dhe të vishej bukur,- thonë shokët.

Por djali me origjinë nga Tropoja, që ëndërronte të bëhej muzikant tashmë dergjet në koma në shtëpinë e tij, pasi kaloi disa muaj në spital, pa mundur të rikthehet në jetë pas sulmit. Ai u qëllua 14 herë me thikë. Sulmuesit, “rivalët” e grupit të fansave, e arritën në një lokal të rinjsh, dhe e qëlluan në fillim në këmbë, pastaj në trup e më pas, në zemër..

Babai i tij, Kujtim Dollapi, nuk e mban dot dhimbjen as sot: “Më treguan shokët.. Ashtu i plagosur djali ka kërkuar ndihmë ta sjellin në spital. Ka shkuar i gjakosur me lekë në dorë tek dy taksi, më pas tek një makinë dhe askush nuk ka dashur ta marrë.. Deri sa është rrëzuar përdhe. Nëse do të shkonte pak më herët në spital nuk do të ishte në këtë gjendje”…

Kujtim Dollapi kërkon drejtësi. Bashkë me gruan, Xhevin, dhe vajzën ata i rrinë mbi kokë Denisit, me shpresën se do të rikthehet sërish mes tyre si më parë. Nuk largohen asnjë minutë. Një prej tyre duhet të jetë patjetër aty. Ndryshe Denisi nxjerr atë klithmën që ia shtrëngon zemrën nënës së tij, Xhevit:

“Im bir u bë 19 vjeç dhe nuk më ka trokitur askush në derë për ndonjë problem me të. Nuk e kuptoj se pse duhet të ma bënin djalin kështu për një këngë.. pa asnjë arsye”. Ajo gjen forca të tregojë tmerrin e ditës kur morën vesh ngjarjen.

“Shkuam menjëherë në spital dhe e pashë që trupi i djalit ishte bërë shoshë. Ai ende mbahej dhe më shikonte në sy, diçka donte të më thoshte. Infermierja më tha të bëhem e fortë dhe të mos reagoja në sy të tij, ndryshe ai do të vdiste menjëherë. Ashtu bëra, durova.. Por zemra ime e di..”,- ofshan Xhevi. Por ajo ka besim: “Zoti nuk do ma marrë djalin…”

Prindërit dhe motra e Denisit thonë se do luftojnë deri në fund dhe me të gjitha mundësitë që Denisi të jetë sërish mes tyre. “Im bir meriton të jetojë. Edhe shteti mund të na ndihmojë, së paku të mund ta çojmë djalin jashtë sepse këtu nuk ka një qendër rehabilitimi për ta trajtuar”, – thotë Kujtim Dollapi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *