Oficierët e Shërbimit Korrektues në burgun e Dubravës kanë arritur të parandalojnë dy raste të futjes së kontrabandës.
“Gjatë bastisjes rutinore në sallën e vizitave, stafi për siguri ka zbuluar se në mënyrë të kamufluar nga vizitori është tentuar të futen mjete monetare në vlerë prej 750€. Po ashtu, në sallën e vizitave, një familjar ka tentuar të futë dy telefone brenda qendrës në mënyrë të fshehur”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues i Kosovës.
Shkaku i këtij rasti janë anuluar edhe vizitat dhe për të dyja rastet është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Dy të burgosurit ndaj të cilëve kanë qenë të dedikuara mjetet monetare dhe telefonat janë veçuar dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndrojë duarkryq përballë këtyre dukurive negative, të cilat rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj”, thuhet tutje në njoftim.