DW: Marrëveshja e Ohrit zyrtarisht pjesë e negociatave BE-Serbi

Zbatimi i plotë i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën që u arrit vitin e shkuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut tanimë është pjesë zyrtare e kapitullit të 35 për Serbinë në negociatat për anëtarësimin e saj në BE.

Këtë ndryshim të kapitullit të 35 e bënë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë një takimi që u mbajt në Luksemburg. Aty u tha,se qëndrimi do t’i transmetohet Serbisë me anë të një letre.

Në tekstin e ri të kuadrit negociues theksohet, se “Serbia zbaton plotësisht detyrimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Këshilli i Ministrave tha se “palët (Kosova e Serbia) janë pajtuar që detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre drejt integrimit evropian”.

Nga autoritetet e Beogradit akoma nuk ka patur reagim për kuadrin e ri negociues të BE-së për Serbinë.

Marrëveshja e Ohrit dhe ngrirja e saj

Në shkurt të vitit të shkuar, Kosova dhe Serbia, u pajtuan për një marrëveshje normalizimi, bazuar në një plan i njohur si nisma franko – gjermane. Disa ditë më vonë me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ata u pajtuan edhe me udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes.

Ajo kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të njëra-tjetrës. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Me 27 tetor të vitit të shkuar, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa, Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Por gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet Kosovë Serbi u tensionuan sidomos në veri të vendit me largimin e serbëve nga institucionet, që kulmuan me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, kur një grup serbësh vranë një polic të Kosovës. Serbët e veriut në katër komuna, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, bojkotuan edhe referendumin e së dielës, më 21 prill për të larguar nga detyra kryetarët shqiptarë. Organizimi i këtij referendumi ishte edhe kusht i BE-së për Prishtinën zyrtare që ta shtensionojë situatën në veri. Kosova ishte ndëshkuar me vendosjen e masave nga BE-ja për veprimet e saj të pakoordinuara më herët.

Kosova kërkon heqjen e masave ndëshkuese

Ndonëse serbët refuzuan të marrin pjesë në referendum, autoritetet e Kosovës, i kërkuan Bashkimit Evropian heqjen e masave ndëshkuese të vendosura vitin e kaluar. Qeveria e Kosovës i bëri thirrje të hënën Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese, pas përmbushjes së detyrimeve për mbajtjen e procesit të votimit për largimin e kryetarëve në veri të vendit.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Kosova ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.

Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që serbët e Kosovës në veri humbën shansin për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin përfaqësues të tyre.

“Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e BE-së.

Lidhur me thirrjen e qeverisë së Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano, “Këshilli do të diskutojë masat e Bashkimit Evropian në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *