Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendime të reja lidhur me ndeshjen Ulpiana – Vllaznia, e cila u konfirmua nga Federata se ka qenë e kurdisur.
FFK-ja publikoi sot vendimet e këtij Komisioni, ku janë të dënuar disa zyrtar e futbollistë, me arsyetimin e “përfshirjes në kurdisje”.
Zyrtari i klubit të Vllaznisë së Pozheranit, Agon Pira, është dënuar me një vit ndalesë të kryerjes së funksioneve zyrtare në klub. Dënim i njëjtë u shqiptua edhe ndaj Meriton Isufit, zyrtarit të Ulpianës.
Me një vit ndalesë loje u dënuan futbollistët e Ulpianës, Samet Rexhepi, Ridon Llugiqi dhe Gentian Emini.
Kujtojmë se Ulpiana dhe Vllaznia u përjashtuan ditë më parë nga Liga e Parë, si shkak i kurdisjes së ndeshjes mes tyre, e cila ishte fituar nga pozheranasit me rezultatin 3:4.