Ngrihet aktakuzë ndaj 18 personave për korrupsion me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër tetëmbëdhjetë personave, për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë në komunën e Istogut.

Sipas njoftimit, Prokuroria njofton se njëmbëdhjetë të pandehurit janë persona zyrtar dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, ”Marrje e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së dhe “Mashtrimi në detyrë” nga neni 419 i KPRK-së, ndërsa shtatë persona të tjerët janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 324 i KPRK-së.

“Vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit sipas aktakuzës është rreth 17 mijë euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth 100 mijë euro. Prokuroria në aktakuzë ka rekomanduar konfiskimin e një banese dhe rreth 20.000€ para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihet në barrë”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *