Kryeministri Albin Kurti në 54-vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka thënë se është institucioni shkollor më i rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, ku janë shkolluar dhe formuar elitat intelektuale, kulturore dhe politike të shoqërisë kosovare, që u kanë prirë proceseve për progres shoqëror, për rezistencë dhe çlirim si dhe për shtetndërtimin e Kosovës.
Ai ka uruar për këtë ditë studentët, stafin akademik dhe administrativ, si dhe të gjithë shoqërisë.
“Në Kosovë, universiteti u kërkua politikisht në demonstratat e vitit 1968, ku një nga parullat kryesore ishte “Dum Universitet”. Më 18 nëntor 1969, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin mbi Themelimin e Universitetit në Prishtinë. Më 13 shkurt të vitit 1970, i zhvilloi punimet Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u ngritën strukturat drejtuese të tij: u zgjodh Pleqësia me 29 anëtarë, u zgjodh rektor Profesor Dervish Rozhaja, si dhe u zgjodhën prorektorë Minir Dushi dhe Bozhidar Jovanoviq. Dy ditë më pas, më 15 shkurt 1970, në një mbledhje solemne u themelua Universiteti i Prishtinës, duke e hapur një epokë të re për jetën universitare, shkencore dhe shoqërore në Kosovë”.
“I themeluar fillimisht mbi tre fakultete, ndër vite Universiteti i Prishtinës shkoi duke u rritur dhe zgjeruar derisa tani ka 14 fakultete, me dhjetëra departamente dhe dhjetëra programe bachelor, master dhe të studimeve doktorale. Mijëra studentë kanë studiuar dhe janë diplomuar në Universitetin e Prishtinës, teksa i kanë inicuar dhe prirë shumë proceseve shoqërore dhe politike. Studentët e UP-së ishin zgjues të vetëdijes politike në protestat e vitit 1981, sikur edhe në protestat e viteve 1989 e 1990 dhe në lëvizjen studentore të viteve 1997 dhe 1998; studentët e UP-së ishin ideatorët e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në vitet 1990-’91; studentë të UP-së u bënë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; studentë të UP-së ishin firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2008; studentë të UP-së kanë shtruar dhe ndjekur rrugë akademike dhe shkencore të suksesshme në fusha të ndryshme në Kosovë dhe nëpër botë”, ka thënë Kurti.