Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mostrave.
Në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka shtuar se pa u kuptuar shkaqet e zjarrit, nuk mund të japë më shumë informacione.
“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri”, ka shkruar Haxhiu.
“Ekipet e zjarrfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendim e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave. Ekipet e forenzikës dhe ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre.
“Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë. Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka shkruar në fund Albulena Haxhiu.