Ministri i Mbrojtes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadas, ka takuar Ministrin e Mbrojtës së Estonisë, Hanno Pevkur dhe Ministrin e Mbrojtës së Lituanisë, Arvydas Anusauskas, ku në fokus kanë qenë kryesisht diskutimet për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Maqedonci, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, ka thënë se përveç diskutimeve mbi promovimin efektiv të vlerave dhe synimeve të përbashkëta strategjike, në takim me homologun estonez ka diskutuar edhe për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit bilateral, ndërsa me homologun lituanez ofrimin e mbështetjes për Ukrainën.
“Në takim me homologun estonez, në mes të tjerash diskutova për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral në të ardhmen”, ka shkruar ministri kosovar, kurse ka njoftuar se Estonia dhe Lituania kanë ofruar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Lituania dhe Estonia kontribuojnë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), derisa trupat lituaneze dhe estoneze në kuadër të KFOR-it kanë përcjellë vazhdimisht situatën e sigurisë në vend, posaçërisht pas tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë. Ndryshe, disa shtete kanë rritur numrin e ushtarëve në Kosovë.