OBSH: Lija e majmunit nuk është Covid i ri

Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të martën se lija e majmunit, pavarësisht nëse është lloji i ri apo i vjetër, nuk është COVID-i i ri, pasi autoritetet dinë të kontrollojnë përhapjen e tij.

“Ne mund dhe duhet ta trajtojmë këtë sëmundje së bashku”, tha Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën, në një konferencë për shtypin.

“Pra, a do të vendosim të ngremë sisteme për të kontrolluar dhe eliminuar linë e majmunit globalisht, apo do të përballemi me një cikël tjetër paniku dhe neglizhence? Mënyra se si do të përgjigjemi tani dhe në vitet në vijim, do të jetë një provë kritike për Evropën dhe botën”, shtoi ai.

Lija e majmunit është një infeksion viral që shkakton puçrra me qelb dhe ka simptoma të ngjashme me gripin. Infeksioni zakonisht është i lehtë, por mund të shaktojë edhe vdekjen.

Varianti ‘clade 1b’ ka shkaktuar shqetësim global sepse duket se përhapet më lehtë.

Një rast i këtij varianti u konfirmua javën e kaluar në Suedi dhe u lidh me një përhapje në rritje të virusit në Afrikë, rasti i parë i përhapjes së tij jashtë kontinentit. OBSH-ja e shpalli shpërthimin e fundit të sëmundjes një emergjencë të shëndetit publik që përbën shqetësim ndërkombëtar pasi u identifikua varianti i ri.

Zoti Kluge tha se vëmendja e përqëndruar tek lloji i ri ‘clade 1’ do të ndihmojë gjithashtu në luftën kundër variantit më pak të rëndë ‘clade 2’ që është përhapur globalisht që nga viti 2022. Kjo i ka mundësuar Evropës të përmirësojë reagimin e saj përmes këshillave dhe mbikëqyrjes më të mirë shëndetësore.

Rreth 100 raste të reja të llojit ‘clade 2’ të lisë së majmunit janë raportuar çdo muaj në rajonin evropian, shtoi zoti Kluge.

Sëmundja transmetohet përmes kontaktit të ngushtë fizik, duke përfshirë marrëdhëniet seksuale. Megjithatë, ndryshe nga pandemitë e mëparshme globale si ai i COVID-it, nuk ka asnjë provë që lija e majmunit përhapet lehtësisht përmes ajrit.

Autoritetet shëndetësore duhet të jenë në gjëndje gatishmërie në rast se ka variante të reja, të cilat barten më lehtë nga një person tek tjetri ose që ndryshojnë rrugën e tyre të transmetimit, por nuk ka rekomandime që njerëzit të mbajnë maska, tha zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasarevic./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *