Nga 24.03.2024 shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta zyrtare dhe diplomatike do të mund të hyjnë pa viza në Japoni.
Ndërkaq, nga 15.02.2024 ka filluar lëshimi i vizave në Ambasadën e Japonisë në Prishtinë, duke lehtësuar kështu dukshëm udhëtimin e qytetarëve të Kosovës në Japoni.
Këto informata i ka bërë të ditura Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës.
Kjo u konfirmua në takimin që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, bashkë me zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, patën me ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi dhe të ngarkuarin me punë Keisuke Yamanaka.
“Thellimi i marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimi në ekonomi, shkëmbime tregtare, sport dhe mbështetje në proceset integruese euroatlantike ishin çështjet me më prioritet të diskutuara gjatë këtij takimi” – ka shkruar MPJD.
Më 14.02.2024 në Prishtinë u mbajt ceremonia e 15-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Japonia hyn ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, respektivisht më 18.03.2008.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve janë vendosur në shkurtin e vitit 2009, ndërsa Republika e Kosovës ka hapur Ambasadën në Tokio në korrik të vitit 2010, kështu duke u bërë ambasada e parë në kontinentin e Azisë.
Japonia ka hapur ambasadën në Prishtinë në janar të vitit 2021.