Mirlind Daku nuk është ftuar nga Kombëtarja shqiptare për miqësoret e marsit ndaj Kilit dhe Suedisë.
Sulmuesi kosovar, së bashku me prurjen tjetër të kohëve të fundit, Arbnor Muja mbetën jashtë listës së trajnerit Sylvinho, i cili në konferencë për shtyp sqaroi se do të provojë futbollistë të rinj në këto miqësore, por që e konfirmoi besimin që e ka në sulmuesin e Rubin Kazanit, shkruan “Gazeta Express”.
Futbollisti nga Kosova e pranon se e priste ftesën nga trajneri brazilian, por që tash do të fokusohet tek klubi i tij për ta dhënë më të mirën, në mënyrë që të rikthehet tek Kuqezinjtë në ndeshjet e qershorit, ndërsa ëndrra e tij më e madhe është ftesa dhe paraqitja në Euro 2024 me “Shqiponjat”.
“Ta them të drejtën, edhe unë si futbollist e kam pritur ftesën e Kombëtares. Por, tash trajneri është ai që vendos dhe trajneri ka vendosur kështu kësaj here. Kështu që mua më mbetet vetëm të punoj dhe të vazhdoj të tregoj rezultate të mira që në grumbullimin tjetër ta kem ftesën. Sido që të jetë, trajneri është ai që vendos, trajneri e ka atë timonin kryesor”, deklaroi Daku në emisionin “Sportmania” në TV Shenja.
“Nuk kam pasur kontakt me Sylvinhon, por në bazë të konferencës që e ka dhënë për shtyp të lë të kuptosh që ajo është arsyeja që nuk jemi grumbulluar”, përfundoi Daku.