Në Bruksel ka filluar takimi trepalësh: Bislimi-Petkoviq-Lajçak.
Ky takim zhvillohet për çështjen e dinarit.
Ajo që e dallon këtë takim nga të tjerët, është se Ndërmjetësi Lajçak, ka filluar menjëherë takimin trepalësh, pra pa i takuar palët veç e veç si herave të tjera.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Menjëherë pas përfundimit të takimit të 19 marsit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar vazhdimin e takimeve ‘me urgjencë’ për këtë çështje, ndëkrohë që ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, pati shkuar në takim te Bislimi, menjëherë pas kthimit të këtij të fundit nga Brukseli.