Mjeku në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Betim Morina, është futur sërish në telashe. Disa muaj pas arrestimit për rastin e përleshjes, i njëjti ka përfunduar sërish në pranga të Policisë. Edhe këtë herë, ai dyshohet se është përfshirë në një konflikt me një zyrtare të kësaj qendre.
Siç merr vesh Sinjali, Morina është prangosur, nën dyshimet se e ka kërcënuar një zyrtare në këtë institucion, pas një mosmarrëveshje që dyshohet se lidhet me kontratën e punës.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë, por i njëjti nuk është dërguar në mbajtje.
Morina po dyshohet se ka përdorur një ‘trik’ për mos e shijuar qelinë, duke kërkuar që të shtrihet në spital për trajtim mjekësor, me arsyetimin se nuk e ka gjendjen e mirë shëndetësore.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe drejtoreshën e QKTGJ-së, Bukurije Zhubi, por e njëjta nuk është përgjigjur as në telefonatat e as në pyetjet e redaksisë.
Ndryshe, në tetor të vitit të kaluar, Betim Morina është përfshirë në një konflikt verbal me një mjek tjetër, të cilit dyshohet se i shkaktoi lëndime të rënda trupore.
Për këtë rast, Morina kishte qëndruar në ndalim policor dhe ndaj tij patën nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.