Sulmuesi i Dukagjinit Theophilus Solomon është arrestuar nga Policia e Kosovës pak para se të futej në lojë ndaj Dinamo Ferizaj, kështu së paku raporton “Indeksonline”.
Dukagjini e eliminoi me mund Dinamo Ferizaj me rezultat 1:0 në kuadër të raundit të 16-të në Kupën e Kosovës.
Megjithatë, një vaki kosovare ka ndodhur pasi pak para se të hynte në fushë Solomon është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Sipas raportimeve në media, Solomon s’është paraqitur që tre muaj në stacionin policor edhe pse e ka për detyrë të lajmërohej shkaku i akuzave për dhunë fizike ndaj ish të dashurës në Shqipëri, që i ka mohuar.
Trajneri i Dukagjinit Armend Dallku ka deklaruar për media se ende nuk di asgjë.
“Ende nuk dimë asgjë për këtë çështje”.
Përpos kësaj, Nacionale ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, mirëpo deri në publikimin e lajmit ende nuk kanë kthyer përgjigje.