Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ka marrë përmasa shqetësuese. Vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga persona të ndryshëm të cilët nuk kursejnë asnjë formë a mjet për të arritur qëllimet e tyre. E ndonjëherë për t’i detyruar viktimat që të bëjnë veprime kundër vullnetit të tyre, të dyshuarit përdorin edhe kërcënime e shantazh, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i trishtë dyshohet të ketë ndodhur në muajin shtator të vitit të shkuar, ku viktimë e dhunimit është një vajzë 19-vjeçare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari fillimisht i ishte prezantuar viktimës rrejshëm si pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe më pas të njëjtën e ka kërcënuar dhe e ka shantazhuar se do iu tregojë prindërve të saj për lidhjen e dashurisë që ka me një person tjetër.
Pas kësaj, 39-vjeçari dyshohet se e ka detyruar viktimën të kryejnë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Përballë kësaj situate, 19-vjeçarja kishte denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e të dyshuarit, mirëpo i njëjti ishte arratisur dhe nuk dihej gjë për vendndodhjen e tij.
Sinjali mëson se 39-vjeçari ka shijuar lirinë nga arratia deri në mengjesin e sotëm kur edhe është arrestuar në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Lipjan.
I dyshuari është shoqëruar në stacion të Policisë dhe më pas është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
Sinjali do të iu mbajë te informuar me detajet e reja lidhur me rastin.