Haradinaj: Kurti mashtroi, Qeveria e re e Kosovës që në ditën e parë të punës ta rrisë koeficientin

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj koeficientit për paga që sot ka prezantuar Qeveria e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se qeveria e re e Kosovës, që në ditën e parë të punës duhet ta rrisë koeficientin.

“Qeveria e re, në ditën e parë të punës, në takimin e parë, vendimin e parë të marrë për ta rritur koeficientin e pagave që përjetë të respektohen zyrtarët në sektorin publik”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se Qeveria e ka fshehur qëllimshëm koeficientin deri tani për t’i zënë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim.

“Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si ‘armiqësorë’, i anatemon”, është shprehur Haradinaj.

“Kishte për qëllim t’i fusë në debate dhe përplasje edhe përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë, duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë”, është shprehur Haradinaj.

Sipas Haradinajt, ky koeficient është alarmues dhe mashtrues.

“Ligji sipas këtij koeficienti ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues!”, ka përfunduar Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *