Gjiganti metalurgjik Ferronikeli njofton ndërprerjen e përkohshme të prodhimit

Korporata metalurgjike NewCo Ferronikeli Complex LLC njoftoi të premten se ka vendosur ta ndërpresë prodhimin përkohësisht, vetëm katër muaj pasi ishte kthyer në punë pas një pauze të detyrueshme dyvjeçare.

Ferronikeli – i cili ndodhet në qytetin qendror të Kosovës, Drenas, rreth 34 kilometra larg kryeqytetit, Prishtinë – tha se po e ndërpret prodhimin për shkak të rritjes së kostos së prodhimit dhe uljes së çmimeve të nikelit që ajo prodhon.

“Kjo krizë vjen si rezultat i çmimeve të ulëta në tregun botëror të nikelit dhe rrezikut nga një reçesion për mallrat që parashikohet për vitin 2024. Ne detyrohemi të marrim vendimin për ndërprerjen e përkohshme të prodhimit deri në një njoftim të dytë”, thuhet në një komunikatë të kësaj kompanie.

Ajo tha se përkundër “krizave të papërballueshme për ta vazhduar procesin e prodhimit, kompania bashkë me punonjësit e saj do të gjejnë zgjidhje që kjo periudhë e vështirë të mos i dëmtojë 1,000 punonjësit e saj”.

Kjo është hera e dytë që kjo kompani e ndal prodhimin brenda dy vjetëve dhe vetëm katër muaj pasi e kishte rinisur prodhimin.

Ajo e kishte ndërprerë prodhimin nga tetori 2021 deri në qershor 2023, asokohe për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në Evropë.

Korporat metalurgjike prodhon dhe eksporton nikel nëpër shumë vende të botës.

Ferronikeli ka qenë kompani publike para se të privatizohej në vitin 2005. Në vitin 2018, ajo është blerë nga kompania e Shqipërisë, Balfin Group. Ndërkaq, rreth një vit më parë, ajo kaloi në pronësi të konsorciumit turk “Yildirim Group”.

Ferronikeli është ndër eksportuesit më të mëdhenj në Kosovë.

Në periudhën para pandemisë, në vitin 2019, kjo kompani kishte eksportuar nikel në vlerë prej 51 milionë eurosh.

Nëse krahasohet kjo shumë me eksportin e përgjithshëm nga Kosova për vitin 2019 që është 383 milionë euro, i bie që Ferronikeli përbënte rreth 13 për qind të të gjithë eksportit në vend./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *