Hovenier i shkon Kurtit në zyrë, pas takimit flet për mediat

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka shkuar në Qeveri për një takim të jashtëzakonshëm me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit, Hovenier do të flasë para mediave në 11:30.

Ambasadori Hovenier të shtunën vonë tha se me veprimet e fundit, Qeveria e Kosovës po i rritë pa nevojë tensionet.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara rreth veprimeve të fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në pjesëtarët e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë”, tha Hovenier në deklaratën e lëshuar pak para mesnatës.

Reagime të ashpra nga ndërkombëtarët erdhën pasi Kosova i mbylli disa komuna paralele të Serbisë në vend. Reagimet që nisën fillimisht në lidhje me synimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ta hequr dinarin serb nga përdorimi, u ashpërsuan pas konfirmimit nga ministri i Punëve të Brendshme se janë mbyllur katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

Bashkimi Europian reagoi me shqetësim të dilën për mbylljen e komunave paralele serbe dhe u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që këtë çështje ta zgjidhin në bisedime me Serbinë në dialog.

BE-ja tha se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.

“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga blloku.

Duke mbështetur reagimin e BE-së, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde reagoi gjithashtu të dielën, duke shkruar në “X” se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”, dhe se ato janë “e kundërta e uljes së tensioneve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *