Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka renditur disa nga skandalet e Qeverisë Kurti, dhe është shprehur kurioze se si do ta quante kryeministri, Albin Kurti, një qeveri të tillë.
Ajo ka përmendru tenderët njëburimor, Martin Berishaj, raportet e fundit të DASH-it dhe Freedom House, rezervat shtetërore e të tjera.
“Kam dhe tjera por një herë me kaq.” – ka shkruar ndër të tjera ajo.
Shkrimi i plotë:
Jam kurioze.
Si do ta quante Kryeministri një qeveri, e cila:
1. Nënshkruan tendera sekret me të njofshëm, mbi 200 milionë euro për 3 vite;
2. Nënshkruan edhe 30 milionë tjera njësoj, për tre muaj në vitin 2024;
3. Shkarkon policë hetues e drejtorë që urdhërojnë veprime hetimore ndaj akterëve të LVV (p.sh. rasti i Nagip Krasniqit);
4. Mbajnë ambasador njeriun që ka tërheq mbi 1 milion euro pa e deklaruar prejardhjen, gënjen në komision hetimor parlamentar (të dyja vepra penale), dhe është ndërmjetësues direkt me GEN të Serbisë.
5. Abuzon me rezerva shtetërore dhe saboton komisionin hetimor që synon zbardhjen e rastit;
6. I falë ambalazhuesve të ujit miliona euro para të shtetit, pavarësisht që një veprim i NJËJTË i është konstatuar i kundërligjshëm nga gjykatat një ish kryeministri nga AAK.
7. Konfirmohet nga Departmenti Amerikan i shtetit se është qeveri e korruptuar;
8. Nuk voton komision hetimor për zbardhjen e rastit Dehari dhe vjedhjen e mostrave të Institutit të Mjekësisë Ligjore;
9. Herë e shan Gjykatën Kushtetuese e herë thotë t’a presim vendimin e saj, varësisht çka i konvenon;
10. Edhe pas 3 viteve qeverisje flasin për “20 vite të kaluara” (e cila përfshin edhe kohën e Presidentit Rugova dhe pavarësinë e 2008-ës), dhe REFUZOJNË debatin parlamentar për nivelin e korrupsionit.
Kam dhe tjera por një herë me kaq.