Veriu, njollë e zezë për ekonominë e Kosovës

Veriu i Kosovës, prej shumë vitesh, është bërë një njollë e zezë për ekonominë dhe zhvillimin e shtetit. Investitorët ndërkombëtarë po hezitojnë ta hedhin kapitalin e tyre. Në fakt, investitorët e huaj nuk e kanë parë me sy të mirë Kosovën prej 24 vjetësh. Veriu i Kosovës mbetet vatër tensionesh që nga paslufta, më 1999.

Kosova është një shtet i pavarur prej 15 vjetësh. Kurse, nga përfundimi i luftës kanë kaluar më shumë se 24 vjet.

Por, “lufta” vazhdon të jetë ende e pranishme në veriun e këtij shteti, të cilin e ndan lumi Ibër në qytetin e Mitrovicës.

Tensionet në Veri nuk kanë pushur kurrë. Trazirat arritën kulmin më 24 shtator, kur grupe të armatosura sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Në shkëmbimin e zjarrit u vranë më pas edhe tre sulmues të nacionalitetit serb. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Serbia ka mohuar se ka gisht. E kjo gjendje e tensionuar dhe me trazira, është duke pasur ndikim negativ në ekonominë e Kosovës.

Investitorët ndërkombëtarë po hezitojnë ta hedhin kapitalin e tyre dhe të shpenzojnë para.

“Rasti i fundit në veri të Kosovës mund të ketë shtyrë investitorët t’i pezullojnë ose t’i shtyjnë në kohë investimet e tyre”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Sipas tij, veriu i Kosovës ka ndikuar edhe në shtetet e Ballkanit.

“Përse një ngjarje, një tension në një vend, ka ndikim në krejt Ballkanin? Për arsye se ne jemi vende të vogla dhe çdo investitor që vjen për të investuar, e sheh Ballkanin si një treg të vetëm, një treg prej 17 milionë banorësh apo 17 milionë konsumatorësh”.

Veriu i Kosovës mbetet vatër tensionesh që nga paslufta, më 1999. Rreth 50.000 serbët që jetojnë atje nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytet të vetin.

Tensionet në Veri, temë e çdo kompanie dhe investitori

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Europianë në Kosovë, Emrush Ujkani, ka thënë se sa herë që bisedohet për mundësinë e ardhjes së ndonjë kompanie të huaj në Kosovë, mbizotëron tema e veriut. “Situata në veri është pengesë për secilin qytetar, e lëre më për një investitor potencial, i cili do ta zgjeronte kapitalin e tij”.

Ujkani thotë se investitorët e huaj nuk e kanë parë me sy të mirë Kosovën prej shumë vitesh.

“Investitorët e huaj nuk e kanë parë me sy të mirë Kosovën në këto 24 vite. Gjithmonë e lidhin me imazhet e konfliktit e luftës. Fatkeqësisht, perceptimi i tyre vazhdon të rëndohet sa herë që ka tensione në pjesën veriore”.

Në çdo takim me investitorë potencialë ndërkombëtarë, sipas tij, pjesa më e madhe e kohës shpenzohet në riparimin e dëmit që i bëjnë tensionet në veri imazhit të Kosovës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se kanë përcjellë nga afër situatën e krijuar nga sulmi, i cili i ka shkaktuar Kosovës 20 milionë euro humbje të qarkullimit të brendshëm.

“Shtatë ditë pas sulmit terrorist, la pasoja në ekonominë e Kosovës. Frikësojnë qytetarët dhe investitorët e huaj. Konsumi i përgjithshëm ra deri në 4%. Bizneset ulën aktivitetin deri në 10%. Vizitat turistike e familjare ranë deri në 50%. Shitjet në sektorin e patundshmërisë: banesave e lokaleve ranë në 50%. Pagesat e ratave të banesave të blera ranë mbi 40%. Interesimi për investime të huaja në Kosovë ra në 0% gjatë javës 24-30 shtator”.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se është pikërisht qëllimi i Serbisë që ta dëmtojë Kosovën ekonomikisht.

“Është shumë e nevojshme që situata të vlerësohet ekonomikisht. Interesat politike kanë pluset dhe minuset e tyre, por në një periudhë afatgjatë po dëmtohet interesi ekonomi.

Që pas luftës, ekonomia ka mbetur nën hije. Edhe Serbia e ka këtë qëllim, që ta dëmtojë Kosovën ekonomikisht”.

Vërehet rënia e Investimeve të Huaja Direkte

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se rënia e Investime të Huaja Direkte në Kosovë është e pashmangshme. Sipas tij, kjo ndodh për shkak të perceptimit të krijuar se vendi nuk ofron stabilitet.

“Po vërejmë se ka rënie në aspektin e Investimeve të Huaja Direkte. Natyrisht duhet një studim pak më i mirëfilltë për të dalë në përfundimin nëse ka një lidhje mes situatës politike, tensioneve dhe mundësisë së tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte. Megjithatë kjo gjë po ndodh.

Është diçka që Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës e ka paralajmëruar në vazhdimësi. Edhe pse jemi një Odë Ekonomike, ne kemi bërë tre apo katër deklarata, në të cilat kemi theksuar nevojën e arritjes së një marrëveshje për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. E në këtë aspekt, edhe arritjen e normalizimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Zeka tregon edhe punën që po e bën Qeveria e Kosovës për t’i joshur investitorët e huaj.

Sipas tij, kurrë nuk është punuar aq sa duhet.

“Asnjëherë nuk është mjaftueshëm. Ajo çka qeveria aktuale po bën dhe dua të jem objektiv, se qeveria megjithatë ka ndërmarrë përpjekje të mëdha për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe fuqizimin e rendit dhe të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Por megjithatë, duket se këto përpjekje tonat, përpjekjet e qeverisë aktuale, të gjitha përpjekjet e qeverive të kaluara, nuk po arrijnë të krijojnë rezultate pozitive për shkak të këtyre problemeve të hapura, që ne i kemi me fqinjët tanë, në radhë të parë me Serbinë”.

Sa dhe ku u investua për 15 vjet në Kosovë?

Në 15 vitet e fundit, vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë kap vlerën e mbi 4.5 miliardë eurove. Pasuritë e patundshme përbëjnë sektorin me pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte, pasuar nga sektori i financave dhe sigurimit.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës del se nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, vlera e Investimeve të Huaja Direkte ka arritur në afro 5 miliardë euro.

Investimet kanë qenë të përqendruara kryesisht në sektorin e patundshmërisë, pastaj atë të financave dhe sigurimit. Vlera më e madhe e tyre i atribuohet diasporës së Kosovës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i ndërmarrjeve të regjistruara në vend në vitin 2022 ka qenë 11.024.

Vetëm 49 ndërmarrje kanë qenë të regjistruara si kompani të huaja.

Sipas ASK-së, ato janë të vogla, pasi numri i të punësuarve në to është më pak se dhjetë. Në tremujorin e parë të këtij viti, numri i kompanive të huaja të regjistruara ka qenë 16.

Situata në Veri ka sjellë pasoja edhe në ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Europian mori në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për të shtensionuar situatën në veri.

Këto masa përfshijnë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor. /Monitor/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *