14 raste të reja, shkon në 562 numri i të prekurve në Shqipëri

 14 raste të reja, shkon në 562 numri i të prekurve në Shqipëri

14 raste të reja janë regjistruar 24 orët e fundit.

Deri më tani janë 26 personat që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit, ndërsa qytetet me më shumë raste të prekurish janë Tirana dhe Shkodra.

Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar me COVID-19, prej të cilëve 35 janë personel shëndetësor.
Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19, prej të cilëve 1 është personel shëndetësor në Shkodër.

Nga rastet e reja 7 i përkasin Krujës, 5 raste në Tiranë, 2 raste në Shkodër.

Deri në këto momente janë testuar 5542 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 562 raste, pra rreth 10% e të gjithë të testuarve.

Kjo shifër tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën.
Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 314.
Aktualisht në vendin tonë janë 222 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet, numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 42 pacientë.