Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që ta refuzojë takimin në Bruksel, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nëse ftohet pa u marrë masa ndëshkuese ndaj shtetit serb, edhe nëse ftohet nga Josep Borell, si ndjermjetësues për dialog së bashku me të dërguarin Miroslav Lajçak.
Këtë e ka thënë për gazetën ‘Neutral’, një burim brenda zyrës së kryeministrit Kurti, i cili ndër të tjerat ka thënë se shefi i ekzekutivit nuk do të ulet në tryezë me presidentin serb nëse masat e Bashkimit Evropian, nuk merren pas përkrahjes dhe organizimit të grupit terrorist, raporton gazeta ‘Neutral’.
Sipas të njejtit burim, Kurti tashmë vetëm ka vendosur që çdo ftesë për dialog ta ketë përgjigjen negative nga ai, pa i pa masat ndëshkuese për veprimet e fundit të Vuçiqit me grupin terrorist ku u cenua integriteti territorial i Kosovës.
“Po, tashmë ka vendosur kryeministri Albin Kurti, nuk do të pranoj takim në Bruksel, me ftesë të ndërmjetësuesëve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe atij për dialog Miroslav Lajçak, për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë tashmë e ka thënë në praninë tonë dhe besoj kështu do të mbetet”, ka thënë ky burim për gazetën ‘Neutral’.