Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku janë liruar sot nga akuza për krime lufte. Kjo u bë e ditur gjatë një seance të mbajtur të enjten në Gjykata Themelore në Prishtinë.
Selimi dhe Demaku janë liruar në mungesë të provave.
Trupi Gjykues gjatë leximit të vendimit thanë se s’kanë arritur t’i vërtetojnë pretendimet e Prokurorisë dhe në mungesë të provave i ka liruar nga aktakuza.
Lajmin për Telegrafin e konfirmuan nga Gjykata Themelore.
“Të akuzuarit janë liruar nga akuza pasi nuk është vërtetuar nga gjykata se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë ngarkuar nga PSRK”, tha Mirlinda Gashi, zëdhënse e Gjykatës Themelore.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″, ku bëjnë pjesë Selimi dhe Dermaku dhe “Drenica 2”.
Ata akuzoheshin me pretendimet e Prokurorisë Speciale se si pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime lufte kundër popullatës civile duke cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga lagjja Shipol e Mitrovicës.
Sylejman Selimi ishte dënuar për rastin “Drenica 2” nga Gjykata e Mitrovicës më 27.05.2015 me 8 vjet burgim. Apeli e kishte zbutur dënimin në 7 vjet. Kurse në rastin “Drenica 1” ishte dënuar me 6 vjet dhe rasti është kthyer në rigjykim dhe po gjykohet në Gjykatën e Prishtinës.