Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz të cilit i ka thënë se shpreson që Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e shtetit të tij në Këshillin e Evropës.
Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e mbështetën më 16 prill raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.
“Nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e Amsamblesë Parlamentare. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.