Jurgen Klopp ka deklaruar se do ta mirëpriste trajnerin e Feyenoord, Arne Slot, si pasues të tij te Liverpooli.
Tekniku gjerman do ta lë klubin e Merseyside në fund të sezonit, dhe kështu klubi i Të Kuqve ka nisur kërkimin për pasuesin e tij, duke shqyrtuar disa opsione, shkruan Sinjali Sporti.
Ndër favoritët për këtë post duket tekniku holandez, i cili veçse ditën e djeshme shprehu publikisht dëshirën për t’iu bashkuar Liverpoolit, duke shpresuar që dy klubet do të arrijnë një marrëveshje.
E Klopp sot në konferencën për shtyp i pyetur për këtë, u shpreh se do t’i pëlqente ta shihte atë si trajner të ardhshëm të “Reds”.
“Nuk jam i përfshirë. Do të më pëlqente ta shihja Arne të marrë këtë punë. Më pëlqen stili i tij. Kam dëgjuar çdoherë se është trajner i mirë. Do t’i thoja se është puna më e mirë në botë. Klubi më i mirë në botë, njerëzit më të mirë”, tha Klopp.